Zgjedhja e Kreut të Shtetit dy muaj para datës së zgjedhjeve parlamentare
Viti 2017 do të jetë viti i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, por njëkohësisht është viti në cilin do të zgjidhet nga Parlamenti Presidenti i ri Republikës. Zgjedhja e Presidentit dhe Parlamentit të ri në të njëjtin vit është një praktikë që ndodh çdo 20 vjet në Shqipëri. Mandati i Presidentit sipas Kushtetutës përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga dita kur ka marrë detyrën. Që do të thotë me 24 korrik dhe procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri fillojnë 60 ditë përpara kësaj date, pra me 24 maj. Me dekretimin e datës 18 qershor si data e zgjedhjeve për Kuvendin, fillimi i procedurave për zgjedhjen e Presidentit me 24 maj bëhet i pamundur sepse në kodin zgjedhor, në pikën 2 të nenit 9 sanksionohet se mbyllja e legjislaturës ose shpërndarja e tij bëhet me vendim të Kuvendit jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 30 ditë përpara kësaj date. Që do të thotë se afati maksimal i mbylljes së legjislaturës është 18 maji dhe ai minimal është 3 maji. Në këtë situatë, Kushtetuta në pikën 2/1 të nenit 88 sqaron se në rastin kur mandati i Presidentit përfundon në 6 muaj që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë përpara mbarimit të mandatit të Kuvendit. Kjo do të thotë se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë 60 ditë përpara datës 3 maj ose 18 maj, që do të thotë me datën 3 masr ose 18 mars. Për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 5 raunde. Secili raund zgjat 7 ditë dhe në 3 raundet e para duhen jo më pak se 84 vota për të zgjedhur Kreun e Shtetit. Në rast se zgjedhja e Presidentit do të marrë të gjithë raundet e nevojshme, atëherë kjo procedurë zgjat 35 ditë dhe brenda datave 18-23 prill, Shqipëria do të ketë Presidentin e ri të Republikës. Presidenti i ri i Republikës nuk mund të kryejë betimin pa mbaruar mandati i Presidentit paraardhës, kështu që Parlamentit aktual do ti duhet të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme pas 24 korrikut, në mënyrë që Presidenti i ri të kryejë betimin për të marrë detyrën.