Në raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, nuk ka asnjë emër kandidati, e për rrjedhojë digjet edhe raundi i dytë. Grupi parlamentar demokrat refuzoi që të propozonte kandidatura, ndërsa mazhoranca ka paralajmëruar se ato do të propozojnë emra vetëm në raundin e katërt dhe të pestë. Në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore u konstatua zyrtarisht se nuk ka një kandidat për presidentin e ri të vendit, ndërsa u miratua raporti që do ti depozitohet Kuvendit për votim.

Në orën 18:00 pritet që të zhvillohet seanca plenare për zhvillimin e votimit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ku pritet që të konsumohet edhe raundi i dytë.

Opozita e Enkelejd Alibeaj akuzon sekretarin e Përgjithshëm Taulant Balla se ka prishur marrëveshjen që presidenti t’i dërgohej Kuvendit me firma të përbashkëta. Mirëpo, mazhoranca ka deklaruar se Alibeaj është keqkuptuar, pasi ato kanë rënë dakord, që opozita të propozojë emër për kandidatët për president në raundin e dytë dhe të tretë, e më pas do të jetë radha e socialistëve që të propozojnë në raundin e katërt dhe pestë.

Raundi i parë dështoi pa asnjë emër konkret për presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Ndonëse nuk ka asnjë kandidat për t’u votuar edhe raundi i dytë sipas Kushtetutës së Shqipërisë quhet i ezauruar për t’ia lënë vendin 3 raundeve të tjera. Vetëm një i tillë ka mbetur për ta zgjedhur Presidentin me shumicë të cilësuar 84 vota, ndërkohë që në të katërtin dhe të pesti Presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.

Si zgjidhet presidenti i ri
10 maji është data e konsideruar si nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ndaj maksimumi brenda gjysmës së dytë të qershorit do të kemi një President të ri Republike. Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual. Domethënë në rastin konkret maksimumi duhet të ishte data 24 maj, pasi mandati i Metës mbaron më 24 korrik.

Tashmë është koha e propozimit zyrtar të kandidaturave, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë. Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për Presidenti. Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit. Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy e tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.

Raundet nga njëri tjetri duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, që do të thotë se Presidenti i ri i Republikës maksimalisht në gjysmën e dytë të muajit qershor do të jetë i zgjedhur, duke qenë se data e fillimit të procesit është konsideruar data 10 maj. Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT PËR DITËN E SOTME, TEMPERATURAT ARRIJNË NË 32 GRADË
Artikulli tjetërZGJEDHJA E BERISHËS NË KRYE TË PD, REAGON GRIDA DUMA: DUHET RESPEKTUAR VULLNETI I DEMOKRATËVE