Zgjedhja e Presidentit të ri mes 13 prillit dhe 9 korrikut
Procedura për zgjedhjen e presidentit pasardhës që do të zëvendësojë presidentin në detyrë Bujar Nishani duhet të fillojë jo më herët se data 13 prill dhe jo më vonë se 9 korriku. Drejtoria e Shërbimit Juridik pranë Kuvendit jep fund debatit për kohën se kur duhet të nisë procedura e zgjedhjes së presidentit. Përmes një letre drejtuar kryetarit të kuvendit Ilir Meta Drejtoria e Shërbimit Juridik Pranë Kuvendi sqaron kur mbaron mandate i presidentit aktual dhe nis procedura për zgjedhjen e presidentit të ri. Në letrën drejtuar Metës thuhet: “Mandati i plotë i kuvendit për legjislaturën e 8-të do të përfundojë më 9 shtator 2017, nga ana tjetër për shkak se mandati i presidentit në detyrë Bujar Nishani do të mbarojë më datën 24 korrik, rezulton se ky mandat presidencial do të përfundojë në 6 muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, çka sjell plotësimin e kushtetit të parashikuara nga fjalia e dytë e pikës 2/1 të nenit 88 të Kushtetutës.” “Rrjedhimisht bazuar vetëm në fjalinë e dytë të pikës 2/1 të nenit 88 të Kushtetutës, procedura për zgjedhjen e Presidentit pasardhës që do të zëvendësojë Presidentin në detyrë, do të duhet të fillojë jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit, dhe konkretisht, jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të legjislaturës së 8-të të Kuvendit, pra jo më vonë se data 9 korrik 2017.”