Zgjedhjet 2017,Doracaj: Spastruam listat, dublikimet mbeten minimale
3 milion e gjysmë shqiptarë do t’i drejtohen kutive të votimit më 18 qershor. Drejtori i Gjendjes Civile Bledar Doracaj garanton se listat e zgjedhësve të këtij viti do të jenë më të saktat e prodhuara ndonjëherë, larg kontestimeve për manipulime dhe heqje të drejte votimi. ‘’Këto lista do të jenë listat më të mira, që ka prodhuar ndonjëherë Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, jo që në 2015 lista përfundimtare ishte e pakontestueshme nga të gjitha subjektet politive, por gjithsesi duhet vëmendje nga qytetarët për të parë në qoftë se përbërisit zgjedhor të publikuar janë të sakta. Asnjë shtetas shqiptar të mos mbetet pa votuar’’,-u shpreh Doracaj. Rreth 135 mijë të rinj do të votojnë për herë të parë. Ndërsa në listat paraprake janë përjashtuar rreth 1751 shtetas mbi 100 vjeç të cilët do të verifikohen nëse janë ende gjallë. Numri i dublikimeve të zgjedhësve të lista sipas Doracajt është minimal. ‘’Në zgjedhjet e 18 qershorit, janë rreth 3 milion e gjysmë zgjedhës ku 49% janë femra dhe 51% janë meshkuj. Votues për herë të parë kemi 135 mijë zgjedhës. Për sa i përket dublimeve është një numër minimal’’,-u shpreh Doracaj. Listat e zgjedhësve i janë përcjellë bashkive dhe do të përditësohen çdo muaj deri në zgjedhjet e 18 qershorit. Deri më tani figurojnë rreth 301 mijë e 700 votues me adresë të panjohur, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, shifër të cilën Drejtoria e Gjendes Civile synon ta reduktojë deri në datën e zgjedhjeve.