Ministria e Brendshme publikon ekstraktin e parë të listave zgjedhore për zgjedhjet vendore, të datës 30 Qershor 2019.

Nga të dhënat paraprake të gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, rezulton se të drejtën e votës e kanë 3.549.909 shtetas. Ndër ta, 50.5 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49.4 % femra.

“Nga lista janë hequr emrat e 1.264 personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të “Dekriminalizimit”, si dhe janë hequr 1.309 emra të shtetasve mbi 100 vjeç.

Ndërkaq DPGjC u ka kërkuar të gjitha Zyrave të Gjendjes Civile të gjenerojnë ekstraktin elektronik të përbërësve zgjedhorë, në përbërje të të cilit janë të gjithë shtetasit me të drejtë vote, të cilët mbushin moshën 18 vjeç deri më datën 30 Qershor 2019”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.

Po ashtu ministria e Brendshme thotë se “Brenda datës 4 Dhjetor 2018, zyrat e Gjendjes Civile në bashki apo njësi administrative, kanë detyrimin ligjor të printojnë ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhore të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial.

Ky ekstrakt firmoset nga kryetari i bashkisë dhe publikohet në ambientet e bashkive/njësive administrative/në vende me hyrje të lirë të aksesueshme për publikun”.

DPGJC duke nisur nga data 5 dhjetor 2018 do të nisë verifikimet në çdo zyrë të Gjendjes Civile nëse është përmbushur detyrimi për publikimin e listave të para të zgjedhësve.

Ekstraktet e përbërësve zgjedhorë me të njëjtat kritere, do të printohen dhe publikohen në mënyrë periodike, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor.

Ministria e Brendshme ka objektiv sigurimin e një liste sa më të plotë zgjedhore, që do të garantojë të drejtën e votës për çdo shtetas me të drejtë vote, duke shmangur në maksimum problemet e verifikuara në të kaluarën.

Artikulli paraprakPRESIDENTI META NË POLONI, MERR PJESË NË SAMITIN E KLIMËS
Artikulli tjetërSFIDAT E KREUT TE RI TE PD XHEVDET AMULI