Kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur në selinë rozë drejtuesit politikë të Partisë Socialiste. Burime bëjnë me dije se në fokus të diskutimit kanë qenë zgjedhjet parlamentare të 11 majit, si edhe vota e diasporës që realizohet për herë të parë në vendin tonë.
Të njëjtat burime thonë se drejtuesit kanë raportuar mbi numrin e emigrantëve në qarqet përkatëse që drejtojnë. Diskutimi vjen edhe në kuadër të afateve që Rama vendosi në mbledhjen e Kryesisë më 9 dhjetor, ku u ka kërkuar drejtuesve që brenda një afati kohor prej 3 javësh të përmbyllin procesin e identifikimit të emigrantëve në regjistrat e partisë.
Në mbledhjen e kaluar të Kryesisë, Rama emëroi Blendi Klosin si drejtues politik në Dibër, pas spostimit të Blendi Goxhes në Qarkun e Tiranës, konkretisht në zonën e Kombinatit. Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu për zgjedhjet e ardhshme do të punojë në qarkun e Vlorës, krah Bledi Çuçit, i cili është drejtuesi politik i zonës.