Deputeti socialist, ish-ministri Ditmir Bushati ka folur nga Shkodra për situatën politike në vend, pas prezantimit të kandidatit të PS për bashkinë Shkodër Valdrin Pjetri.
Ai tha se vendimi i opozitës nuk është zgjedhje e maxhorancës, e cila do kishte preferuar të kishte përballë një kundërshtar.
“Lidhur me këtë që po bën opozita kjo nuk është zgjedhja jonë. Do kishim preferuar që përballë të kishim kundërshtar, procesi deri më tani ka qenë i hapur.
Ne jemi përgatitur me takimet që kemi bërë dhe mendoj që kur vjen puna për Shkodrën kemi shume se çfarë të propozojmë dhe aq më tepër duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet bashkia Shkodër.
Nga ana tjetër nuk do të reshtim dhe do t’i bëjmë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor që të mbështesin Valdrinin dhe ekipin tonë të Partisë socialiste”, deklaroi Bushati.