Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se pengesë për implementimin elektronik në zgjedhje, është mungesa e fondeve në buxhetin e shtetit për KQZ-në. Ndërsa për votimin e emigrantëve, Celibashi tha se Gjykata Kushtetuese ka ngarkuar Kuvendin për plotësimin e hapësirave ligjore, për ta bërë të mundur këtë projekt.
“Ka një dispozitë tranzitore që thotë se nuk janë zgjedhjet lokale që do të bëjnë që partia të mos përfitojë fonde. Partitë politike kanë detyrimin që të raportojnë për paratë që merr dhe financat që merr. Ka raporte vjetore.
Për koalicionin e Berishës nuk di të jap përgjigje por kodi e ka që minimalisht 2 parti politike mund të krijojnë një koalicion. Nëse janë dy parti politike është koalicion, nëse nuk janë dy parti, nuk është. Për sa i përket votës së emigrantëve, Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar Kuvendit që të bëjë plotësimin e boshllëqeve ligjore. Ne duhet të presim Kuvendin e Shqipërisë, që brenda një viti të bëjë ndryshimet përkatëse, për të mundësuar votimin e emigrantëve. Është detyrë e Kuvendit, e ngarkuar nga Gjykata Kushtetuese, për të mundësuar votimin nga jashtë. Për zgjedhjet vendore nuk ka votim nga jashtë si koncept, përgjithësisht votimi nga jashtë mundësohet për zgjedhjet politike.
Ndërsa për votimin elektronik, nga buxheti i shtetit KQZ-së ju krijua mundësia për ta zhvilluar këtë projekt në bashkitë e Elbasanit, Vorës dhe Kamzës. Do të donim që ky projekt të shtrihej në të gjithë Shqipërinë. Kjo formë e manipulimit evitohet nga sistemi elektronik”, u shpreh Celibashi.