Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u ka dërguar një letër bashkive të vendit ku u kërkon që të informojnë institucionin mbi vendet e caktuara për vendosjen e materialeve propagandistike. Në letër kërkohet që bashkitë të publikojnë menjëherë në faqen e tyre elektronike vendet ku do të vendosin materialet propagandistike, duke theksuar se kanë kohë vetëm dy ditë.

“Brenda dy ditëve nga marrja e kësaj shkrese ju lutem të dërgoni në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e vendeve të lejuara për afishimin e materialeve propagandistike për fushatë zgjedhore. Kjo listë dhe vendimi përkatës për caktimin e këtyre vendeve duhet të publikohet menjëherë në faqen elektronike të institucionit tuaj”- thuhet në njoftim.

Më tej, kërkohet gjithashtu heqja e materialeve të mëparshme propagandistike të vendosura nga partitë politike në fushatat e mëparshme elektorale. Në rast se bashkitë nuk respektojnë detyrimet dhe afatet e përcaktuara në shkresën e firmosur nga Celibashi, përbëjnë shkelje të pikës 1 të nenit 17 të Kodit Zgjedhor. Më herët gjatë ditës së sotme, kryekomisioneri i zgjedhjeve, Celibashi u la dy ditë kohë partive politike që në materialet propagandistike që vendosin të jetë mbishkrimi “prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të…”, duke caktuar emrin e subjektit zgjedhor që e ka vendosur.

Artikulli paraprak8 USHQIMET MË TË DËMSHME PËR SHËNDETIN, POR QË NE I KONSUMOJMË SHPESH
Artikulli tjetërRAPORTI/ PUTIN VENDOSI QË TË PUSHTONTE UKRAINËN NË MARS TË VITIT 2021