Gjatë një takimi me mbështetës në Malësinë e Madhe, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh i bindur për një fitore 5 me 0 në të gjitha bashkitë e Shkodrës ku votohet në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ai u shpreh se qarku i Shkodrës është një ndër më të diskriminuarit nga qeveria që sipas tij nuk ka asnjë propozim për zhvillimin e rajonit.
“Nuk është rastësi kjo situatë sot, që njerëzit të largohen. Padre Pllumbi më thoshte; jemi popull blegtor. Do dalim 5-0 në qarkun e Shkodrës. Në qarkun ndoshta më të diskriminuar nga kjo qeveri. Po flasim për Shkodrën, dhe se si mund t’i hiqet drejtoria e Arsimit? Kjo gjë nuk është rastësi, është bërë enkas për t’i ulur peshën e rëndësinë. Por Shkodra si qark do jetë në krye të rezultateve. Ju e shihni panikun e tyre. Ata nuk kanë asnjë propozim. E vetmja gjë që iu ka ngelur është presioni i njerëzve”-tha Meta.
Meta hodhi akuza ndaj qeverisë, duke deklaruar se po bënte vjedhje të mëdha në buxhetin e shtetit dhe se borxhet që merr nga institucionet ndërkombëtare, i përdor për të larë borxhet e mëparshme.
“Kjo qeveri vjedh po në mënyrë skizofrenike. Në Shkodër do ketë fitore të pastër 5 me 0. Jam i bindur për kontributin tuaj dhe të njerëzve tuaj kudo në Shqipëri. Na jepni fuqi t’ju japim llogari. Ne kemi treguar dhe do tregojmë se nuk hyjmë nga një derë në bashki në mëngjes dhe kur vjen populli të kërkojë sqarim, të dalim nga dera tjetër. Unë jam i sigurt se bashkitë do jenë gjithmonë të qytetarëve. Jam i sigurt se modeli ynë i uljes së taksave dhe i transparencës, do jetë shumë i suksesshëm. Rilindja sot i bën lekët tuaja rrush e kumbulla. Borxhet po merren për të larë borxhe për korrupsionin e pamasë të Rilindjes, në nivel kombëtar dhe vendor”- u shpreh Meta.
Kreu i PL-së, tha se pas 15 majit, Malësia e Madhe do të drejtohet nga kandidati i opozitës dhe jo i Partisë Socialiste, duke shtuar se personat që nuk marrin pjesë në zgjedhje mund të bien viktimë e vendimeve të gabuara që të tjerët marrin për ta.