Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR, Audrey Glover ka përfunduar takimin me ish-kryeministrin Sali Berisha në selinë e PD. Në një komunikim për mediat në përfundim të këtij takimi, Berisha tha se ishte një takim informues për zgjedhjet lokale të 14 majit.
“PD e vendosur për të çuar përpara procesin elektoral. Mendoj se zonja Glover ishte në një takim për tu informuar mbi pikëpamjet, faktet dhe zhvillimet sipas PD, të këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. Ne paraqitëm të gjithë problematikët”, tha ish-kryeministri.
Takimi nisi që prej orës 13:00. Ndërkohë po sot Glover takoi dhe kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Kujtojmë se më herët në një deklaratë për mediat, Glover bëri me dije se ndërkombëtarët janë përqendruar tek zgjedhjet lokale të 14 majit. Audrey Glover mund të quhet pa hezitim një veterane e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Për herë të parë ajo ka drejtuar misionin e vëzhgimit në zgjedhjet politike të vitit 1996. Për tu rikthyer shpesh në vendin tonë në zgjedhjet e vitit 2009 e më pas në ato të viteve 2015, 2019 dhe tashmë në garën e 14 Majit.