Në ambientet e Akademisë së Sigurisë, filloi sot cikli i trajnimeve me objekt përmbushjen e plotë dhe efektive të detyrave funksionale të punonjësve të Policisë, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor që do të zhvillohet këtë vit. Trajnimet intensive do të realizohen nga ekspertë multidisiplinarë të OSCE-së, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme, dhe do të konsistojnë në informimin e plotë të punonjësve të Policisë, për aspektet ligjore, etike dhe disiplinore të këtij procesi kompleks dhe të rëndësishëm për vendin. Trajnimet u iniciuan sot, me pjesëmarrjen e drejtuesve qendrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit, dhe do të shtrihen përgjatë muajit mars, për të gjithë efektivët që do të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku:

“Falënderoj Ambasadorin e OSCE-së në Shqipëri, për mbështetjen e vazhdueshme që OSCE-ja i ka dhënë dhe po i jep Policisë shqiptare, mbështetje e cila faktohet edhe sot, përmes këtij trajnimi të organizuar për punonjësit e Policisë së Shtetit, për t’i përmbushur plotësisht dhe me efektivitet, detyrat funksionale para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor që do të zhvillohet këtë vit.

Gjithashtu, falënderoj Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve z. Celibashi dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për angazhimin e tyre në këtë trajnim. Roli i Prokurorisë së Përgjithshme në këtë proces, është thelbësor, pasi kontrollon dhe certifikon veprimet procedurale që punonjësit e Policisë kryejnë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Siguroj qytetarët, subjektet politike, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët tanë se Policia e Shtetit do të zbatojë vetëm ligjin, ashtu siç ka vepruar në të gjitha proceset zgjedhore, veprime të cilat janë certifikuar nga OSBE-ODIHR. Për Policinë e Shtetit, primare janë ligji, shteti dhe qytetarët.”

Artikulli paraprakTEUTA-VLLAZNIA/ MBYLLET PJESA E PARË, SKUADRAT NË BARASPESHË
Artikulli tjetërMBYLLET SFIDA TEUTA-VLLAZNIA, SHKODRANËT MARRIN VETËM 1 PIKË