Kandidatja demokrate Hillary Clinton ka shpallur një fitore të parakohshme në Shtetin e Iowa-s kur kanë mbetur më pak se 1% e votave për t’u numëruar.

Ish-sekretarja e Shtetit ka arritur të regjistrojë një avantazh të lehtë ndaj Bernie Sanders teksa të dy i janë afruar 50%-shit. Megjithatë, triumfi i Klinton nuk është konfirmuar ende nga zyrtarët amerikanë ose nga përfaqësuesit më të lartë të demokratëve. Kandidati tjetër, Martin O’Malley, vendosi të tërhiqet nga gara, pasi regjistroi vetëm 0.6 të votave. Nga ana tjetër, senatori i Teksasit, Ted Cruz është shpallur fitues nga radhët e republikanëve në shtetin e Ioëa-s duke grumbulluar afro 28% të votave. Ai la pas rivalin e tij kryesor, Donald Trump, i cili arriti të bënte për vete 24% të elektoratit. Pas tyre u radhit Marko Rubio me 23% e më pas Ben Carson me 9%. Pas fitores së regjitruar, Cruz u shpreh mjaft i lumtur duke thënë se kjo ishte një fitore e ardhur nga konservatorët kurajozë. Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka arritur një marrëveshje me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk për një sërë pikash. Palët kanë rënë dakord që shtetet që janë pjesë e BE-së të kenë më shumë autonomi në fushën legjislative. Thënë më qartë, parlamentet e vendeve anëtare do të kenë mundësi që të bllokojnë miratimin e ligjeve që vijnë nga Bashkimi Europian, në rast se mbi 55% e deputetëve në kuvend do të votojnë kundër tyre. Megjithatë, drafti i hartuar nga palët, do të duhet të miratohet nga të gjithë shtetet që janë pjesë e BE-së përpara se të hyjë në fuqi.

Artikulli paraprakQËNDRA “LINCOLN” MË PRANË BREZIT TË RI ME GJUHËT E HUAJA
Artikulli tjetërSHKRIMTARI DHE KOHA