Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, është shprehur se KQZ po vlerëson ankesat lidhur me bonusin e pensionistëve të premtuar nga kryeministri Edi Rama përpara zgjedhjeve të 14 majit. Gjatë një interviste, Celibashi tha se në dy ditët në vijim, pasi të ketë shqyrtuar ankesat, KQZ do të marrë edhe një vendim lidhur me këtë çështje.

Pjesë nga biseda në studio:

Po bonusi i kryeministrit për pensionistët a është i paligjshëm?
Kjo është një çështje që ne po e vlerësojmë. Nesër besoj ose pasnesër do të kemi edhe vendimmarrjen përkatëse dhe do të vendosim. Kryetari në detyrë i PD-së ka deklaruar se KQZ nuk na ka dhënë paratë për fushatën zgjedhore.

Si qëndron e vërteta?
KQZ merr vendim për sasinë e parave që u shpërndahet partive politike nga buxheti i shtetit dhe kaq. Nuk di të them i kanë marrë apo nuk i kanë marrë këto para, por ne e kemi marrë vendimin. KQZ mund të bëjë një kërkesë nga pikpamja formale.

A e ka depozituar PD zyrtare listën e komisionerëve?
Po i ka depozituar për një pjesë, për një tjetër pjesë akoma jo.

Mund të shmangej, apo mund të kishte një vendim që koalicioni Bashkë Fitojmë të kishte numërues në të gjithë Shqipërinë?
Në fakt e përcakton ligji se kush janë partitë politike që kanë të drejtë për numrin e numëruesve. KQZ dhe KAS ka vendosur se kush janë partitë politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë të grupeve të numërimit. Kjo është një lloj përgjegjësie që partitë duhet ta ushtrojnë. Një parti që ka numërues, nuk ka privilegje dhe avantazhe. Numëruesi është garant i procesit edhe për subjektet që nuk kanë numërues.

ISP ka nxjerrë që Elbasani, Durrësi dhe Shkodra janë bashki me rrezikshmëri të lartë në ditën e zgjedhjeve. A do të merrni masa shtesë?
Bashkëpunimi mes KQZ me institucionet e tjera ekziston dhe ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me drejtorinë e policisë së shtetit dhe me organin e prokurorisë. Gjithsecili ka vëmendjen e tij mbi ato aspekte ligjore.

Nga ndryshojnë zgjedhjet e zhvilluara më parë nga këto të tanishmet?
Kanë ndryshuar shumë gjëra, kanë ndryshuar shumë sjelljet politike në raport me procesin zgjedhor. Ka gjëra që kanë shkuar për mirë, por ka edhe gjëra që nuk kanë progresuar aq mirë.

Artikulli paraprakKANDIDATI I KOALICIONIT “BASHKË FITOJMË” BARDH SPAHIA: VELIPOJA KA PËR TË QËNË DESTINACIONI KRYESOR I KËTIJ SEZONI NË TË GJITHË RAJONIN.
Artikulli tjetërKANDIDATI I PS BENET BECI TAKIME ME BANORËT E LAGJES FERMENTIM