Partia Demokratike është duke përmbyllur listën e deputetëve dhe burimet thanë se aty janë përfshirë (në vend të sigurt) edhe disa prej aleatëve.
Ndërsa, jashtë pritet të mbeten Agron Duka, Kreshnik Spahiu dhe kaubojsi Eduard Ndocaj. Po sipas burimeve, Basha u ka siguruar vende të sigurta në listën e PD-së kreut të PR-së, Fatmir Mediu, kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi, kreut të PDK-së, Nard Ndoka si dhe kreut të PBDNJ, Vangjel Dule.
Aleati tjetër i Bashës, Agron Duka gjithashtu ka marrë garanci për të qenë në këto lista, por ka shfaqur pretendime për 2 kandidatë të tjerë të forcës së tij politike që të përfshihen në listat e sigurta. Kështu Dashamir Shehi do të jetë në listën e qarkut Tiranë, ndërsa Nard Ndoka në listën e Shkodrës.
Ndërkohë, Basha nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim ndaj Kreshnik Spahiut dhe Eduart Ndocaj, të cilëve nuk u ka dhënë siguri për përfshirjen në këto lista të sigurta. Kësisoj, me gjasë Spahiu dhe Ndocaj nuk do jenë në lista dhe as në parlament, ndërsa pritet për të parë se çdo të bëjë Duka i cili dy ditë më parë “kërcënoi” se do dalë vetëm në zgjedhje dhe se do ti ofrohej për koalicion paszgjedhor PS-së.