KJO PARTI DO TË SIGUROJË TË PAKTËN 65 KËSHILLE VENDORE. Partia konservatore UMP, e udhëhequr nga ish-presidenti, Nicolas Sarkozy, dhe aleatët e saj, duket se janë fitues të rundit final të zgjedheve lokale në Francë.
Parashikimet pas rundit të dytë të djeshëm të zgjedhjeve tregojnë se kjo parti do të sigurojë të paktën 65 këshille vendore. Fronti Nacional i Mari Lë Pen ka shënuar gjithashtu fitore, ndërsa socialistët në pushtet dhe aleatët e tyre mund të humbasin rreth 30 departamente. Këto zgjedhje shihen si një test i rëndësishëm para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017. Sarkozy, shpreson ta marrë sërish presidencën nga qeveria e majtë e presidentit aktual, Francois Hollande, e cila është ballafaquar me probleme në ekonomi dhe papunësi të lartë. Kryeministri francez, Manuel Val, tha se ishte e pamohueshme që Partia Socialiste kishte humbur terren pasi bastionet e socialistëve i kanë kaluar të djathtës. Nga ana tjetër Fronti Kombëtar ka përfituar nga çështjet e ngarkuara politikisht të emigracionit, integrimit të Islamit në shoqërinë franceze dhe synimit të partisë për ta tërhequr Francën nga Eurozona dhe për tu kthyer tek franga. Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte rreth 50%.