Zgjedhjet në Kavajë, vetëm PS propozon kandidatë për KZAZ-n
Data 2 prill (sot) është afati i fundit kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përcaktuar si datë për dorëzimin e propozimeve të partive politike për anëtarë të KZAZ-së nr. 42, që do të administrojë zgjedhjet e pjesshme për kryetar të bashkisë Kavajë. Të drejtën për propozuar anëtarë të KZAZ-së nr. 42, e kanë Partia Demokratike, Partia Socialiste, Partia Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Pavarësisht se afati përfundimtar për paraqitjen e propozimeve për anëtarë të KZAZ-së nr. 42, është ditë e diel, por ditë pune për Administratën e KQZ-së, deri tani këtë detyrim ligjor e ka përmbushur vetëm Partia Socialiste. “Mospërmbushja e këtij detyrimi ligjor nga partitë politike sjell si pasojë mos respektimin e afatit ligjor për ngritjen e KZAZ-së nr 42, afat i cili në bazë të nenit 29 pika 6 e Kodit Zgjedhor, është 10 ditë nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit, për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme, afat që përkon me datën 3 prill 2017. Afatet procedurale për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kavajë, janë afate të shkurtuara dhe mos respektimi i tyre vështirëson punën për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor të datës 7 maj. KQZ i bën apel Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Republikane, të sjellin propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-së nr. 42, Kavajë, brenda datës 3 prill 2017”, tha zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.