Më 6 nëntor LSI zgjedh kreun e ri, Rrokaj përballë Ilir Metës Deklarata për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama

Është mbledhur pasditen e kësaj të premte kryesia e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim ku pas takimit, ku Luan Rama në një komunikim për mediat ka thënë se temë kryesore e këtij takimi ishin zgjedhjet që do mbahen në parti më 6 nëntor ndërkohë që ka theksuar se Ilir Meta ka shpallur kandidaturën vendim të cilin e ka marrë edhe Shezai Rrokaj. Sipas Luan Ramës, afati për të shpallur kandidaturën për kreun e ri të LSI-së është deri më 30 shtator ndërkohë që shtoi se zgjedhjet për kreun e ri të LSI janë një moment i rëndësishëm për ridimensionimin e partisë dhe ka ftuar të gjithë anëtarësinë e LSI që të marrin pjesë në fushatën zgjedhore. Sipas Ramës votimi edhe në këtë proces do të bëhet sipas parimit një anëtarë një votë “Shezai Rrokaj shpalli kandidaturën për kryetar të LSI. Po ashtu edhe kreu aktual i partisë Ilir meta. Ky është një moment i rëndësishëm për ridimensionimin e rolit të partisë. Zgjedhjet në gjithë vendin do të mbahen më 6 nëntor. Anëtarët e LSI-së i ftoj që të bëhen pjesë e fushatës zgjedhore. Votimi do të bëhet sipas parimit një anëtar një votë. Kush dëshiron të kandidojë, duhet të regjistrohet” tha Rama. Ai shtoi se në takimin e kryesisë së LSI-së u diskutua edhe për modalitetet e konventës kombëtare zgjedhore. Ndërkohë në një intervistë të dhënë nga Shezai Rrokaj menjëherë pas zyrtarizimit të kandidaturës, ai ka thënë për mediat se me platformën e tij synohet që partia të hapet akoma më shumë ndaj shoqërisë civile dhe të zbuten tonet e konfliktit. “Ju e dini shumë mirë që unë vij nga shoqëria civile. Gjithmonë kam punuar që LSI-ja të hapej ndaj shoqërisë civile. Idetë e mia janë bërë publike edhe në postin që unë kam mbajtur. Mendoj që pas një përvoje si kryetari i degës së LSI-së së Tiranës, së mëparshme dhe Tiranës tani si Bashki, mendova se idetë e mia, platforma ime, do ta shëndoshë LSI-në dhe në fund të fundit alternativat gjithmonë i bëjnë mirë një partie.Partia ka nevojë të hapet më shumë ndaj bazës. Partia ka nevojë më shumë të rrit performancën e saj në bazë. Mendoj se idetë e mia do të dëgjohen me vëmendje nga anëtarësia e partisë, kështu që unë dhashë shembullin tim. Besoj që ndoshta mund të mos jem i vetmi, mund të ketë edhe anëtar të tjerë, sepse gara është e hapur për të depozituar emrat për kandidim. Kështu që do të shkojmë përpara, anëtarësia do të vendosë se kush duhet të jetë fitues.Tani platforma ka elementët e parë, sepse siç ndërtohet çdo platformë në fillim ajo niset nga disa postulate kryesore. E thashë, hapja e partisë ndaj shoqërisë civile. Partitë tona kanë nevojë që të jenë më pak agresive. Shqiptarët kanë shqetësime shumë më të mëdha dhe mendoj që zbutja e toneve dhe e konfliktit do të jetë një nga drejtimet e mia ku shpresoj që partia të zbutet nga militantizmi dhe fanatizmi politik dhe të hapet më shumë ndaj shoqërisë, të bëhet më shumë qytetare dhe të promovojë më shumë vlerat e intelektualëve. Ta dëgjoj më shumë bazën, sepse ndodh shpeshherë që partitë e shfrytëzojnë bazën për t’u zgjedhur apo në fushatat elektorale, qeveritarët apo deputetët e shfrytëzojnë bazën sa për t’u zgjedhur dhe pastaj nuk i kthejnë sytë nga ajo.Unë jam për një model ndryshe. Vij nga shoqëria civile. Dua të sjell mendimin tim të shoqërisë civile. Unë kam garuar në pozicione të tjera, edhe në pozicione politike edhe në pozicione akademike, them që një frymë e tillë veç se mirë i bën LSI-së.’ tha Rrokaj. –

Artikulli paraprakPD:SHENDETESIA E RAMES E BEQES TE MERR JETEN
Artikulli tjetërSIRI,INDENTIFIKOHEN GRUPET QEVERITARE QE PERDOREN GAZIN KLORIN