Lëvizja “Evropa tani” e presidentit, Jakov Milatoviç arriti të marrë numrin më të madh të votave sipas rezultateve të para të shpallura nga Qendra e Monitorimit të Zgjedhjeve mbrëmjen e sotme në Malin e Zi.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura sot (11 qershor 2023) në Malin e Zi tregojnë se Lëvizja “Europa Tani” ka dalë e para me 26 përqind të votave apo 24 mandate, por jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri e vetme.

Pasohet nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviç me 23,7 për qind ose me 21 mandate në Parlamentin e Malit të Zi.

Koalicioni pro-serb dhe pro-rus “Për të Ardhmen e Malit të Zi” (ish Fronti Demokratik) ka fituar 15 përqind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviçit me Demokratët të Aleksa Beçiçit 12.3 përqind ose 11 mandate. Partia Boshnjake, si partia më e madhe e pakicave në Mal të Zi fitoi 6.8 përqind të votave ose 6 mandate, kurse në parlament do të hyjë edhe Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat.

6 shqiptarë në parlament

Në parlamentin e Malit të Zi do të jenë 6 deputetë shqiptarë, 4 nga partitë nacionale shqiptare dhe dy nga partitë qytetare. Dritan Abazoviç ( URA), Drita Llolla ( DPS) ndërsa nga partitë nacionale në parlament do të jenë pjesë Mehmet Zenka nga Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Genci Nimanbegu i Aleancës Shqiptare si dhe Nikollë Camaj dhe Ferhat Dinosha nga Forumi Shqiptar.

Kush mund ta formojë qeverinë?

Nga këto zgjedhje dalin 81 deputetë, dhe shumica e re parlamentare do të zgjedhë kryeministrin dhe qeverinë e re të Malit të Zi Rezultatet paraprake tregojnë se më shumë vota kanë fituar partitë pro-demokratike dhe proevropiane siç është Lëvizja “Evropa Tani”, e cila u formua në mesin e vitit të kaluar dhe të cilës i përket edhe presidenti i sapozgjedhur, Jakov Milatoviç, koalicioni i URA-s me Demokratët dhe partitë e pakicave të cilët në koalicionin paszgjedhor mund të formojnë shumicën në parlamentin e Malit të Zi, shkruan Voa.

Pjesemarrja e ulët

Të drejtën për të votuar për të zgjedhur 81 deputetët e parlamentit malazez e patën 542.468 qytetarë. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 u mbyllën në orën 19:00 dhe rezultatet paraprake dolën në orën 21:00.

Pjesëmarrja deri në orën 19:00 ka qenë 56.4% të votuesve, gati 20% më e ulët se 2020. Kjo është pjesëmarrja më e ulët në Mal të Zi që kur u nda nga Serbia për t’u bërë një shtet i pavarur në vitin 2006. Analistët e shpjeguan pjesëmarrjen e ulët me faktin se shumë votues ishn ngopur me zgjedhjet e shpeshta që nuk sollën ndryshime të mëdha në skenën politike lokale.

Në garë 15 parti dhe koalicione

Këto janë zgjedhjet e dymbëdhjeta parlamentare që nga vendosja e pluralizmit në Mal të Zi. Partia Demokratike e Socialistave (PDS) për të parën herë hyri në zgjedhje pa liderin e saj Millo Gjukanoviç, i cili pas tri dekadash u tërhoq si lider i partisë, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale humbi zgjedhjet kundrejt rivalit nga Lëvizja Evropa Tani, Jakov Millatoviç.

Një ndryshim i madh ndodhi tek koalicioni i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili në zgjedhjet e kaluara formoi shumicën aktuale parlamentare. Ky koalicion politik në këto zgjedhje hyri I ndarë në tre parti të pavarura dhe pati një rënie të theksuar. Dy partitë që pas zgjedhjeve të vitit 2020 së bashku me Frontin Demokratik përbënin shumicën në nivel shtetëror, Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit me mandat të përkohshëm Dritan Abazoviç, dhe Demokratët kandiduan së bashku. Morën pjesë edhe dy koalicione të partive shqiptare: Forumi Shqiptar me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Koalicioni i Aleancës Shqiptare me deputetin me përvojë Genci Nimanbegu.

Artikulli paraprakSI DO JETË MOTI PËR SOT DHE NË DITËT VAZHDIM? NË KËTO ZONA RESHJET E SHIUT DO JENË MË TË DENDURA
Artikulli tjetër32 VJET NGA THEMELIMI I PARTISË SOCIALISTE, RAMA: FORCA E VETME POLITIKE QË S’KA LËVIZUR NGA DREJTIMI I INTERESIT KOMBËTAR! GËZUAR