Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi nëpërmjet një mesazhi fitoren e partive shqiptare në zgjedhjet për komunën e Tuzit.
“Marrëveshja e Aleancës Shqiptare, Lidhjes Demokratike Shqiptare dhe Unionit Demokratik Shqiptar, partitë kryesore shqiptare, për të formuar aleancën “Forumi shqiptar” me siglën e përbashkët “Malësia na bashkon”, ishte veprimi i duhur dhe një hap i vendosur drejt fitores në zgjedhjet e 3 marsit.
Uroj që “Forumi shqiptar” të jetë një forum fitues në këto zgjedhje dhe kështu do të ndodhë me siguri.
Slogani i fushatës zgjedhore të koalicionit të partive shqiptare “Malësia na bashkon” përmban një mesazh të fuqishëm. “Malësia na bashkon” do të thotë na bashkon shqiptaria.
Me fitoren e partive të shqiptarëve në 3 mars, askush nuk do të ndjehet i mundur dhe i humbur.
Sepse ne kemi treguar se në të gjitha vendet e rajonit shqiptarët janë një faktor stabiliteti, paqeje e prosperiteti.
Ne, shqiptarët, jemi e do të jemi përgjithmonë partnerë besnikë dhe afatgjatë të aleatëve tanë të mëdhenj strategjikë, ShBA dhe BE.”, thuhet në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi.