Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur se zbatimi i plotë i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të mundësonte uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Gjatë një adresimi për media, pasi mori pjesë në një ngjarje në Policinë e Kosovës, Hovenier më 1 gusht tha se Uashingtoni kërkon që dy gjëra të ndodhin që të ulen tensionet në veri.

“Ne duam të shohim dy gjëra. Ne mendojmë se është e rëndësishme të arrihet përshkallëzim i mëtejmë i situatës në veri për të shmangur tensionet. Gjëja e dytë që duam të shohim është përtrirja e përpjekjeve nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur në Ohër. Kjo ndihmon Kosovën të përparojë drejt integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe ripozicionimin e raporteve mes dy shteteve”, tha ai. Hovenier iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që palët arritën në shkurt në Bruksel, dhe më pas në mars në Ohër arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj.

Marrëveshja, veç tjerash, parasheh edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizim, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nga Qeveria e Kosovës ne kërkojmë që të ndërmarrë hapa për shtensionuar situatën në veri dhe të krijojë një mjedis të ri ku të dyja shtetet mund të punojnë në zbatimin e të gjitha zotimeve në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit. Për Kosovën kjo nënkupton që të lëvizë përpara me një urgjencë në procesin për negocimin dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo është pjesë e zotimeve që janë bërë nga Qeveria e Kosovës. Ky nuk është obligimi i vetëm që ka dhe ky nuk është neni i vetëm i Marrëveshjes së Ohrit, por është i rëndësishëm”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan tha po ashtu se edhe Serbia ka obligime të shumta të cilat duhet t’i zbatojë, duke shtuar se “ne mendojmë se asnjëra palë nuk po zbaton plotësisht zotimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”. Kjo marrëveshje, me 11 nene, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Ndërkaq, tensionet në Kosovë janë rritur, pasi në maj, kryetarët e rinj shqiptarë hynë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok, të banuara me shumicë serbe. Komuniteti serb dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, por as nuk i pranojnë kryetarët e rinj. Tensionet kanë kulmuar edhe me dhunë mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të ulen në tavolinën e negocimit. Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri. Megjithatë, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.

Artikulli paraprakATHINA ZYRTARE PËR “ÇËSHTJEN BELERI”, MESAZH AUTORITETEVE SHQIPTARE
Artikulli tjetërSPAK ÇOI PËR GJYKIM FREDI BELERIN, MEDIAT GREKE: MINISTRI I JASHTËM GREK BISEDË TELEFONIKE ME XHAÇKËN