Pas katër orësh nga nisja e procesit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të PD, Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi, ka dalë në një deklaratë për mediat.
Vokshi ka deklaruar se procesi vijon normalisht dhe se deri në orën 11:00 kanë votuar në 108 qendra votimi për kreun e ri të PD-së 14012 anëtarë.
“Janë hapur në orën 08:00, 108 qendra në të gjitha degët e PD-së në të gjithë vendin. Procesi është hapur normalisht, po vijon normalisht. Duket një interes shumë i madh i demokratëve për të votuar që në orët e para të mëngjesit, por fakti që kemi më shumë qendra se sa qendrat në të cilat është votuar në zgjedhjet për kryetar partie e ka bërë më të menaxhueshëm dhe pavarësisht se ka një interes të lartë është bërë një menaxhim i mirë i fluksit të demokratëve në qendrat e votimit. Do doja që të informoja publikun për pjesëmarrjen e votuesve:
Shkodër 1287
Lezhë 830
Kukës 1081
Dibër 650
Durrës 1005
Tiranë 3694
Elbasan 1190
Berat 460
Korçë 1200
Fier 1520
Vlorë 570
14012 anëtarë të PD-së që kanë votuar deri në orën 11:00”, tha Vokshi.
Lidhur me numrin e plotë të anëtarësisë, Vokshi shpjegoi se është një punë në progres si dhe listat që janë përdorur.
“Është në fakt një punë në progres. Ne ju kemi bërë me dije si komisioni i organizimit dhe kontrollit të operacioneve elektorale që lista me të cilën është punuar gjatë votimeve të fundit është e vetmja listë e plotë e gjetur në PD, e 2019 dhe kemi pranuar se është një listë fiktive. Pra, askush nuk e di se sa është numri real i anëtarësisë së PD-së pasi listat kanë qenë tepër të fryra. Pas votimeve të referendumit siç dhe ju kemi bërë me dije ka pasur shumë demokratë të cilët kanë votuar me kartat e tyre të anëtarësisë në PD, kartat që nga 1990 dhe ndër vite. Gjë e cila ka vijuar dhe për primaret. Pavarësisht se kemi shtuar anëtarësinë që ka votuar për referendumin, edhe në primare, por edhe në votimet për kryetar të PD-së janë paraqitur pranë qendrave të votimit anëtarë të PD-së të cilët kanë votuar me karta”.
“Komisioni ka qenë në punë deri në orët e para të mëngjesit. Deri pas mesnate kemi pritur kërkesa nga kandidatët.
Procesi ka qenë shumë i qetë deri tani.
Parimi ynë, t’i jepet e drejta çdo demokrati. Arsyeja pse kemi vendosur të përdorim listat e 2019, sepse ishin më të plotat. Nuk kemi dashur të ndodhë ajo që ka ndodhur herët e tjera, nëse kryetarit nuk i pëlqen t’i hiqet emri nga lista. Më mirë kemi preferuar të mbajmë listat e fryra, që kushdo që paraqitet në qendrën e votimit, të ketë të drejtën të votojë.
Z. Elezi, përfaqësuesi i tij që në momentin që është regjistruar si kandidat ka pasur akses të plotë te listat. Në database të partisë ka dhe të dhëna personale, pasi kanë firmosur një deklaratë, kanë pasur akses të plotë”, deklaroi Vokshi.
Ajo tha më tej se votat do të numërohen në çdo qendër votimi. Sipas saj, rezultati do të dalë shumë shpejt.
Duke qenë se sot është një nga ditët më të rëndësishme jo vetëm për PD-në, por dhe për Shqipërinë, doja të ftoja të gjithë anëtarët të dalin për të votuar.