Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi ka dhënë detaje lidhur me procesin zgjedhor.

“Në vijim, u hartuan, u miratuan dhe u zbatuan urdhrat për planifikimin dhe organizimin e trajnimeve për punonjësit e Policisë, në strukturat e ngarkuara me përgjegjësi për këtë proces. Në këtë kuadër janë trajnuar 7530 punonjës policie, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor, sipas niveleve të menaxhimit policor, që nga niveli bazë i veprimit policor. Janë kryer përllogaritjet e numrit të punonjësve të Policisë dhe nevojave të tyre për pajisje, automjete dhe shërbime të tjera logjistike, që do të angazhohen për sigurimin e 5211 qendrave të votimit, 92 KZAZ-ve dhe 92 VNV-ve.

Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, brenda afatit të përcaktuar, më datë 03.05.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ:

• Listën me 5511 punonjës policie që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja; • Listën me 305 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor. Janë prodhuar nga Policia e Shtetit, 6000 kopjeve të librit të xhepit, për detyrat funksionale të punonjësve të Policisë, gjatë procesit zgjedhor, kopje të cilat janë shpërndarë në të gjitha strukturat e Policisë.

Janë përgatitur dhe miratuar urdhri i përbashkët i Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, si dhe urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për marrjen në ruajtje të 57 objekteve të rëndësishme, të cilat do të sigurohen nga 192 punonjës policie nga forcat “Komando”, tha Jaupi.

Artikulli paraprak‘VENDORET’, AMBASADORI GJERMAN NË TIRANË THIRRJE VOTUESVE: SHKONI NË ZGJEDHJE
Artikulli tjetërBECI: SHKODRA DO TË PËRJETOJË TRANSFORMIMIN MË TË MADH QË KA NJOHUR NDONJËHERË