Teksa na ndajnë edhe disa muaj nga zgjedhjet lokale, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith. Ka qenë Celibashi që ka ndarë një foto me ambasadorin ndërsa ka dhënë edhe detaje nga takimi. Celibashi shkruan se kanë folur mbi transparencën e KQZ, procesin e verifikimit të kandidatëve apo edhe mbrojtjen e administratës nga influencimi i votës, si edhe mbrojtjen e të dhënave të zgjedhësve.

“Zgjedhjet Vendore 14 MAJ 2023 në Shqipëri nën vëmendjen e duhur nga Mbretëria e Bashkuar. Me Ambasadorin e British Embassy Tirana – SHTZ Alastair King-Smith patëm një bisedë mjaft konstruktive me fokus tek përgatitjet e procesit zgjedhor të ardhshëm dhe rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për vendin.

Bashkëbiseduam mbi përgjegjshmërinë dhe transparencën e KQZ Shqipëri, procesin e verifikimit të kandidatëve, shmangien e përfshirjes së burimeve shtetërore në zgjedhje, rolin e medias në procesin zgjedhor, mbrojtjen e administratës nga influencimi i votës, si edhe mbrojtjen e të dhënave të zgjedhësve. I theksova Ambasadorit King-Smith vijimin e propozimeve të KQZ ndaj Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Gjithashtu e falenderova Ambasadorin Britanik dhe Qeverinë e tij për ndihmën e vazhdueshme ndaj KQZ dhe dedikimin e tij për rritjen e mbështetjes ndërkombëtare ndaj institucionit qendror të zgjedhjeve”, shkruan Celibashi.

Artikulli paraprakSHUMË AFËR SHQIPËRISË, VULLKANI KOLOMBO RREZIKON TË ZHDUKË ISHULLIN GREK
Artikulli tjetërDUKA ZBULON ARSYEN SE PËRSE MUNGON KRYEMINISTRI NË MBRËMJEN GALA