BURIME PRANË DY KAMPEVE POLITIKE BËJNË ME DIJE SE LSI KA 1/3 PS 2/3 E BASHKIVE. Tre muaj para fillimit të fushatës zgjedhore për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive të reja të vendit, kryetarët e dy partive më të madhe në koalicionin qeverisës Edi Rama dhe Ilir Meta, do të takohen këtë javë për të përcaktuar dhe zonat ku do të garojnë me kandidatë të përbashkët. 

Pavarësisht heshtjes që mbizotëron brenda mazhorancës, burime nga kampi i majtë, sqarojnë se në parim dy liderët kryesorë ranë dakord për një shpërndarje midis kandidatëve: në 2/3 e 61 bashkive të vendit do të garojnë kandidatët e përzgjedhur nga Partia Socialiste, ndërsa në 1/3 nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Shpërndarja e 61 bashkive midis dy forcave kryesore të koalicionit të majtë natyrisht duhet të ketë në konsideratë mundësitë konkrete të fitores në disa qytete që do të duhet të shërbejnë për të balancuar ato bashki, ku tradicionalisht është më e fortë opozita. Një negociatë që pritet të përmbyllet brenda rreth 3 javësh. Për të shuar aludimet ne lidhje me qarkullimin e disa emrave për kandidatë bashkie, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, disa ditë më parë deklaroi se palët ende nuk kanë vendosur për zonat ku do kandidojnë dhe se për këtë çështje do të takohet me kryeministrin Edi Rama gjatë kësaj jave.  Përveç dy aleatëve kryesorë, mësohet se edhe aleatët e vegjël si PBDNJ e Vangjel Dules, do të garojë me kandidatin e përzgjedhur nga radhët e saj dhe që ndoshta do të kandidojë nën singlën e koalicionit në bashkinë e Himarës.  Risia që pritet në këto zgjedhje do të jetë që 50 % e kandidatëve në këshillat bashkiakë flitet se do të jenë gra.

Artikulli paraprakLEZHË, KOMUNITETI ROM PROTESTË PËR ENERGJINË ELEKTRIKE
Artikulli tjetërTIRANA, NË SHTATOR DO TË JETË KRYEQYTETI I PAQES