Djegia e mbeturinave në afërsi të varrezave të dëshmorëve në periferi të qytetit të Shkodrës vijon që të jetë një problem ende i pazgjidhur. Janë imazhe me të cilat vazhdojmë që të përballemi thuajse çdo ndërkohë që autoritetet përkatëse nuk po marrin asnjë masë për ta ndalur atë katrahurë mjedisore që është rikthyer sërish në vëmendje.
Me qindra kilogram mbeturina vijojnë që të hidhen sërish aty kryesisht nga individë të cilat merren me grumbullimin e tyre në qytetin e Shkodrës. Disa herë prefekti i qarkut Shkodër Paulin Radovani e ka ngritur këtë çështje por ende nuk ka marrë rrugën e zgjidhjes. Prefekti gjatë ditës së premte ka patur edhe një bisedë me drejtorin e policisë të qarkut Shkodër Lorenc Panganika për të rritur sigurinë dhe për të parë mundësinë e ndëshkimit të atyre që vijojn të hedhin mbeturinat në afërsi të varrezave të dëshmorëve e më pas t’i djegin. U përfol para pak kohëve se e gjithë ajo zonë që është një burim për shumë sëmundje të rehabilitohej por ka mbetur si ide e lënë përgjysëm. Dëmi që shkaktohet sidomos për banorët e asaj zone por edhe pë rata që gërmojnë aty është i pallogaritshëm. Disa herë vetë banorët kanë bërë apel që kjo situatë të zgjidhet ashtu siç edhe ekspertët e mjedisit por përballë këtij problem madhor institucionet duket sikur janë dorëzuar pa ndërhyrë me forcën e ligjit për ta shmangur ndotjen masive që bëhet në atë zonë. Disa zjarrëfikëset janë detyruar që të shkojnë aty për të shuar flakët e zjarrit por sërish nuk ka qenë zgjidhja e duhur. Jo vetëm prefekti por edhe policia ka premtuar se do marrin masat e duhura për të ndëshkuar shkelësit por deri më tani asnjë prej këtyre premtimeve nuk është mbajtur dhe thuajse në të gjithë pjesën pranë varrezave të dëshmorëve vijojnë që të hidhen mbeturina e më pas të digjen pa u shqetësuar nga askush.