AUTOBUZI I QYTETIT DO TË SHKOJË DERI TEK TREGU I SHUMICËS I FRUTA-PERIMEVE. Linja e transportit urban që nga marsi i këtij viti pritet të zgjerohet për qytetin e Shkodrës.
Linja e autobuzit do të përshkojë edhe lagjen e quajtur Rus Maxharr deri tek tregu i shumicës i fruta perimeve ku ndodhet busti i 5 heronjve të vigut. Kjo linjë e re që vihet në dispozicion nuk do të ketë për qëllim t’i shërbejë tregut të shumicës së fruta-perimeve por gjithë banorëve të lagjes Rus e më pas edhe atyre që lidhen me Dobraçin apo familjeve në anë të rrugës Shkodër – Koplik që janë deri në afërsi të tregut. Kur nisën punimet për unazën perëndimore dhe në anën tjetër unazën lindore u përfol se mund të ekzistojë mundësia e vendosjes së një linje autobuzi për unazën por nuk u arrit të konkretizohej. Tashmë pritet që linja e re që lidh qendrën e Shkodrës deri në zonën ku ndodhet tregu i shumicës i fruta-perimeve të miratohet në mbledhjen e këshillit bashkiak të 25 shkurtit të këtij viti. Ky projekt-vendim do të jetë në rendin e ditës dhe pritet që të miratohet në atë mbledhje. Projekt-vendimi përveç kësaj linje të re për transportin urban përfshin edhe caktimin e çmimit të ri për biletat e autobuzit të qytetit. Në këtë mënyrë ashtu siç “Star Plus” njoftoi për një rritje të mundshme të çmimit, tashmë kjo konfirmohet edhe zyrtarisht duke qenë se është pjesë e rendit të ditës për mbledhjen e këshillit bashkiak me 25 shkurt. Nga 30 lekë nga sa është aktualisht çmimi pritet të shkojë në 40 lekë. Vitin e kaluar qeveria nga Këshilli i Ministrave ia delegoi të drejtën e ndryshimit të çmimit për transportin urban pushtetit lokal. Edhe më parë është kërkuar rritja e çmimit por vetëm këtë herë është pranuar duke qenë se Bashkia Shkodër ka të drejtë për një vendim të tillë.