Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, përshëndeti publikimin e raportit të OSBE-ODIHR-it që shpreh vlerësimin për punën e KQZ-së.
Sipas Zgurit, “raporti vlerëson se KQZ-ja ia doli të zbatojë detyrat e veta bazë” dhe “çmon transparencën e veprimtarisë së KQZ-së”. “Te transparenca ne gjejmë forcën tonë, ndaj dhe jemi të kënaqur që përmendet në raportin e OSBE-ODIHR-it. Siguroj se menjëherë pas zgjedhjeve, KQZ ka nisur punën për ngritjen e qendrës së trajnimeve që do të certifikojë anëtarët potencialë të KZAZ-ve dhe KQV-ve”, deklaroi Zguri. Raporti i OSBE/ODIHR nuk bën një përkufizim të qartë për përmbushjen e standardeve demokratike të zgjedhjeve të 25 qershorit, por në raport renditen disa rekomandime të rëndësishme për arritjen e këtyre standardeve. Si gjithmonë, rekomandimi numër 1 është bërja në kohë e një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila të adresojë edhe rekomandimet e raporteve të mëparshme të OSBE/ODIHR-it, duke harmonizuar ligjet e ndryshme, veçanërisht përsa i përket financimit të fushatës dhe medias.
Rekomandimi nuk përmend ndryshimin e sistemit zgjedhor apo votimin elektronik, që janë kërkesa kryesore të opozitës për reformën që nis javën e ardhshme. Çka lë vend për sugjerim se ky është një vendim që duhet ta marrin vetë partitë në negociatat mes tyre. Rekomandimi tjetër është bërja e përpjekjeve të fuqishme për të adresuar çështjen e vjetër dhe të re të blerjes së votës përmes fushatave ndërgjegjësuese dhe ndjekjen penale. OSBE/ODIHR thotë se përveç angazhimit të sinqertë dhe konkret të partive politike për të luftuar praktikat e blerjes së votës, politikanët duhet të refuzojnë publikisht mbështetjen financiare nga individë me të kaluar kriminale. Rekomandimi thotë se kjo do të ndihmojë të ndërtohet besimi publik në integritetin e zgjedhjeve. Raporti i rekomandon qeverisë të marrë në konsideratë ngritjen e një trupe transparente, të pavarur dhe gjithëpërfshirëse me detyrën dhe kompetencën për të vepruar kundër abuzimit me burimet shtetërore dhe me presionet ndaj administratës.
Një strukturë e ngjashme me këtë rekomandim të OSBE/ODIHR -it u ngrit për herë të parë në këto zgjedhje në formën e një task-force, pas përfshirjes së opozitës në qeveri me ministra teknikë. Një sugjerim që bëri edhe ish-zëvendëskryeministrja Mandija në raportin e saj për zgjedhjet. OSBE/ODIHR rekomandon për të disatën herë ndryshimin e ligjit për komisionerët dhe numëruesit që administrojnë procesin elektoral, në mënyrë që ato të mos u përkasin partive politike. Në raport thuhet se politizimi i zgjedhjeve, nëpërmjet trupave dhe institucioneve të tyre, si dhe akuzat gjerësisht të përhapura për blerje vote e kanë ulur besimin publik tek procesi zgjedhor.