Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” i ka hapur rrugë doktoraturës në fakultetin ekonomik duke dërguar shkresën përkatëse në Ministrinë e Arsimit. Një gjë të tillë e bëri të ditur zëdhënësja e universitetit të Shkodrës Rozafa Shpuza.
Pak ditë më parë universitetet që janë partnere me universitetin e Shkodrës në progamin ERASMUS + i dërguan një shkresë zyrtare rektores Suzana Golemi duke i lënë afatin e fundit 14 nëntorin për të dërguar shkresën përkatëse në ministrinë e arsimit ose në të kundërt do të humbej shansi i mbështetjes nga fondet e BE çka mund të sillte pasoja të rënda për gjitha universitetet bashkë, ato të rajonit dhe të Shkodrës që janë pjesë e këtij projekti.
Ndërkohë pedagogët e fakultetit ekonomik në Shkodër protestuan duke i kërkuar rektores Golemi që të dërgonte sa më shpejt shkresën përkatëse duke qenë se ishte zvarritur si çështje prej më shumë se tre muajsh duke rrezikuar djegien e plotë të kësaj doktorature. Pas gjithë këtij kalvari reagimesh e debatesh, u arrit që kjo doktoraturë të futet në rrjedhën normale duke i dhënë mundësi atyre që duan të regjistrohen që të ndjekin ciklin e tretë të studimeve.