Zhbllokohet Gjykata e Lartë. Kancelari i Gjykatës së Lartë i ka dërguar ditën e sotme kërkesë KLGJ-së për përzgjedhjen e emrave që do të shyqrtojnë pesë çështjet e ekstradimeve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen e djeshme ka gjetur një zgjidhje provizore duke vendosur të operojë me caktimin e gjyqtarëve nga gjykatat më të ulëta në Gjykatën e Lartë për çështje të caktuara gjyqësore që kanë të bëjnë vetëm me ekstradimet.
Propozimi u miratua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ndërkohë që trupa gjyqësore që do të zgjidhet me short do të përbëhet nga anëtarë që plotësojnë dy kushte; e para të kenë kaluar vettingun dhe e dyta që të kenë 13 vite eksperiencë.
Çështjet më urgjente që pritet të trajtohen në një kohë shumë të shkurtër, pra brenda ditëve në vijim lidhen me ekstradimet e; Valentina Dushkut, Robens Beberit, Besnik Lekës,Kastriot Elezajt dhe Hajri Seferit. Kjo zgjidhje provizore do të jetë në funksion deri në plotësimin e Gjykatës së Lartë. Sot ishte afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për gjyqtarë.