Zhduken vepra të rralla të Muzeut Historik të Beratit
Piktura mbi dyqindvjeçare e piktorit Gjergj Trifoni e zhdukur nga Muzeu Historik i Beratit pas vitit 1991, nuk dihet se ku ka shkuar, pohon drejtoresha e Muzeut Historik të Beratit Marela Guga. Historia e zhdukjes së pikturës së vjetër u bë publike dy ditë më parë në Report TV. Bëhet fjalë për tablon me Skenderbeun mbi kalë që ka në sfond lagjen Mangalem të Beratit. Tabloja e blerë në Athinë që në vitin 1925 nga familja elbasanase Kreka ishte pronë e Muzeut të Beratit që nga viti 1987. Guga pohon se vetëm ka dëgjuar për pikturën, por s’e ka gjetur në muze kur mori detyrën Sipas Gugës tabloja e Gjergj Trifonit nuk është e vetmja që ka humbur, por kanë humbur edhe abazhurë argjendi, vepra arti e shumë objekte të tjera. Muzeu Historik i Beratit u shkatërrua pas viteve ‘90 dhe reliket e tij të shumta janë strehuar në një nga zyrat e rëndomta të pallatit të kulturës. Guga pohon se në fondin e tij ka ende gjëra me vlere, ku veçon tablonë e qëndisur nga heroina e popullit Margarita Tutulani. Po çfarë është bërë deri më sot për humbjet e mëdha të trashëgimisë. Marela Guga thotë se institucionet asnjëherë nuk e kanë çuar deri ne fund kërkimin e objekteve. Ndërsa së fundi se pritet që të ndërtohet muzeu historik në Berat, Guga apelon për kërkimin dhe rikthimin e objekteve muzeale.