Ky është Muhamet Tahiri, 66 vjeç nga fshati Ganjollë i Njësisë Administrative Gur i Zi, i cili mbrëmjen e së premtes ka humbur të gjitha kontaktet me familjarët.
Këta të fundit janë alarmuar dhe prej shumë orësh janë në kërkim të tij. Sipas tyre shkak mund të jetë bërë gjendja psikologjike në të cilën po kalonte ditët e fundit 66 vjeçari. I biri tregon se Tahiri kishte 1 vit e gjysmë që kishte hapur një çështje gjyqësore për njohjen e viteve të punës dhe daljen në pension, por pavarësisht kësaj, akoma nuk i është njohur e drejta për të marrë pagesën e pesnsionit, ç’ka i ka shkaktuar një gjendje të rënduar psikologjike. Ndërkaq, prej 4 muajsh, Muhamet Tahirit i ishte ndërprerë energjia elektrike për shkak të debisë, ndërsa 6 vite më parë kishte humbur njërin nga djemtë. Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës i biri Agron Tahiri ka bërë denoncimin në polici, por sipas tij kjo e fundit nuk ka marrë asnjë masë për gjetjen e të atit. Në momentin që ka dalë nga banesa në drejtim të tokës bujqësore, Muhamet Tahiri nuk e ka marrë me vete aparatin celular. Ndërkaq personi i fundit që e ka takuar është vëllai i tij. Të vetmit që po kërkojnë 66 vjeçarin janë bashkëfshatarët e tij. Ata kanë nisur kërkimet në kanalin vaditës të Ganjollës dhe fshatin Vukatanë, por akoma nuk ka asnjë gjurmë të tij. Muhamet Tahiri jetonte vetëm me bashkëshorten e tij, ndërsa njëri nga djemtë pak metra më larg. Djali tjetër kishte shkuar vetëm pak javë më parë në Itali, por është detyruar të kthehet në kërkim të të atit. Tahiri që humbi kontaktet kishte probleme shëndëtësore në këmbë dhe familjarët thonë se nuk ka patur mundësi të largohet nga zona e Gurit të Zi. Këta të fundit kanë publikuar edhe një numër celulari që dikush t’i ndihmojë në gjetjen e të afërmit të tyre.