Zhdukja e dokumenteve sekret prokuroria nis hetimet
Pasi ish-kryeministri Berisha denoncoi në Facebook se nga kasaforta sekrete e Policisë së Shtetit ishin zhdukur dokumente sekrete, kontrolli i brendshëm në Polici ka bërë kallëzim në Prokurori për këtë rast. Prokuroria e Tiranës ben me dije se prej më shumë se 10 ditësh janë duke kryer hetimet për zhdukjen e dokumenteve nga kjo kasafortë e cila ka qenë në varësi të drejtuesve më të lartë të policisë së shtetit. Prokuroria sqaroi se hetimet po kryhen pa emra konkret për zyrtarë të policisë të përfshirë në këtë skandal të zbuluar nga kontrolli i brendshëm në polici dhe procedimi është regjistruar me akuzën e “shpërdorimit të detyrës e nxjerrjes së sekretit shtetëror”. Berisha denonconte në FB se në këtë skandal janë përfshirë kreu i Krimeve të Rënda Ardian Cipa dhe ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, por sipas kallëzimit të SHBÇA ende nuk ka një emër konkret të personit përgjegjës.