Pak ditë më parë dhjetra forca policie zbarkuan tek ura e Spatharit në Shkodër. Një njoftim që mbërriti në polici për gjetjen e një motori të braktisur alarmoi efektivët duke i bërë ata

që të besojnë se mund të jetë mjeti i njërit prej dy shtetasve të zhdukur në Shkodër Gëzim Hysaj dhe nipit të tij Agron Mollaj.

Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie duke bërë verifikimin për motorin e gjetur.

Nuk është dashur shumë kohë që policia e Shkodrës të vërtetojë se ai motor i gjetur i përkiste shtetasit Gëzim Hysaj, i zhdukur që mbrëmjen e 23 gushtit bashkë me nipin e tij Agron Mollaj.

Motori është gjetur në afërsi të fshatit Ashtë në një rrugë ku kalimi i njerëzve nuk është i shpeshtë.

Pasi është konfirmuar se ai mjet ishte i shtetasit Gëzim Hysaj gjatë asaj dite dhjetra forca policie kanë nisur kontrollet duke në atë zonë për të rënë në gjurmët e personit të humbur dhe nipit të tij.

Përveç kontrolleve në rrugica të ndryshme e vende periferike janë thirrur edhe polumbarët e FNSH-së të cilët kanë bërë kërkime poshtë urës së Spatharit por jo vetëm duke menduar se mund të gjendet diçka.

Pavarësisht kërkimeve për disa orë me radhë policia nuk ka gjetur asnjë gjurmë tjetër përveç motorit të braktisur në afërsi të Ashtës.

Pavarësisht se mjeti ndodhej aty banorë të zonës të pyetur nga policia kanë deklaruar se nuk e kanë parë për asnjë moment shtetasin Gëzim Hysaj.

Në këtë mënyrë edhe vendndodhja e motorit në fshatin Ashtë është një mister më vete ashtu siç zhdukja e dy personave pa lënë asnjë gjurmë, Gëzim Hysaj dhe nipit të tij Agron Mollaj.

Këta dy shtetas u larguan nga banesa mbrëmjen e 23 gushtit dhe që nga ajo natë nuk janë kthyer më në shtëpi. Familjarët por edhe policia tashmë dyshojnë se zhdukja e tyre mund të lidhet me ndonjë ngjarje kriminale.

Pavarësisht kërkimeve dhe punës së policisë ende nuk ka asnjë ide se çfarë ka ndodhur me dy shtetasit e zhdukur, Gëzim Hysaj dhe Agron Mollaj.

 

Artikulli paraprakINFERMIERË PËR SHQIPËRINË, FITUESIT E FAZËS SË DYTË PËRZGJEDHIN VENDET E PUNËS NË TIRANË
Artikulli tjetërSHKODËR, LIBRI MË I FUNDIT ME TITULL “NË TWITTER ME ZOTIN”