Tjetër rezultat zhgënjyes për Vllazninë. Ajo është mundur edhe nga Kasrtrioti në miqësoren e luajtur pasditen e sotme në Krujë. Në fund të takimit është fiksuar rezultati 1-0 për vendësit, për të cilët ka shënuar Peqini, gol ky që i ka dhënë fitoren kësaj skuadre. Vllaznia, ndërkohë, e ka nisur ndeshjen me portierin Dragojeviç, ndërsa në mbrojtje kanë luajtur Arbri, Borshi, Cicmil e Hakaj. Në mesfushë kanë qenë Sefa, Haxhibuliç e Shtubina, para tyre kanë luajtur Çinari e Kiri, ndërsa në majë të sulmit ka luajtur libanezi Kdouh.
Në fakt, trajneri Zmijani kishte programuar të aktivizonte paraguajanin Martinez, por ky i fundit, në nxemje para ndeshjes, ka ndjerë një shqetësim muskular dhe nuk është aktivizuar. Loja duhet thënë se nuk është ngjitur në nivelin e pritshëm për shkodranët. Ata, sidomos në manovrën sulmuese, kanë lënë shumë për të dëshiruar. Në pjesën e dytë janë aktivizuar edhe Dyca, Pjeshka, Ruqi e Lushtaku, megjithatë, sërish loja nuk është përmirësuar dhe sidomos në sulm. Përfundimisht, 1-0 për Kastriotin, ndërkohë që Vllaznia duket qartë se ka ende shumë për të bërë, ndonëse shumë prej lojtarëve të saj titullarë kanë probleme dëmtimesh kohët e fundit dhe prandaj në ndeshjen e sotme nuk kanë luajtur Haxhaj, Marku, Bardulla, Krymi, Ahmeti, Martinez, Sosa e Paviçeviç.