Gjuha shqipe në ditët e sotme po përballet me një sërë sfidash. Zija Vukaj, shkrimtar, publicist, përkthyes i njohur në ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare, teksa ishte në qendër të aktivitetit “Deja va amtarisht” të shkollës së mesme “Jordan Misja” në Shkodër ku jep edhe mësim, thotë se dy prej problemeve që kanë prekur edhe gjuhën shqipe janë globalizmi dhe lëvizjet demografike brenda vendit.
Ndërkohë sistemi arsimor shqiptar thotë Vukaj edhe pse është i shtrirë kudo nuk po arrin që të shmang qoftë keqshkruarjen e gjuhës shqipe apo edhe keqshqiptimin e saj që bashkë me rrjetet sociale dhe teknologjinë po shkaktojnë një dëm të madh. Një shqetësim, shprehet shkrimtari dhe përkthyesi Vukaj mbetet edhe përdorimi i fjalëve të huaja, kryesisht nga politikanët.
Drejtorja e shkollës së mesme “Jordan Misja”, Blediana Osja që organizoi këtë bisedë, thotë se këto vlera të gjuhës shqipe dhe intelektualë si Zija Vukaj duhet që të nxirren gjithnjë e më shumë në pah përmes aktiviteteve duke kritikuar institucionet përkatëse në Shkodër.
Shkodra është një prej qyteteve kryesore në vend sa i përket lëvrimit të gjuhës shqipe ndër shekuj duke përcjellë vlera të patjetërsueshme.