Një zjarr i përmasave të frikshme u regjistrua në orët e mbrëmjes të së premtes në lagjen “Nënë Tereza” në Lezhë. Një sasi e konsiderueshme mbetjesh u përfshinë nga flakët.

Afër vendit të ngjarjes ndodheshin edhe disa banesa të cilat u rrezikuan tepër nga flakët që po përhapeshin me shpejtësi të madhe.

U desh më shumë se një orë për të neutralizuar flakët e zjarrit të cilat krijuan panik tek banorët në zonë. Sipas burimeve një shkëndijë e vendosur nga fëmijët e lagjes në mënyrë aksidentale mund të jetë bërë shkak për këtë zjarr që më pas rezultoi i rrezikshëm.

Paniku tek banorët e lagjes “Nënë Tereza” erdhi edhe për shkak të tymit por edhe flakëve që po afroheshin në qytet. Ndërhyrja në kohë e zjarrëfikësve bëri të mundur neutralizimin e vatrës së zjarrit si dhe shmangien e dëmeve në banesat që ishin afër.

Forcat zjarrëfikëse qëndruan deri në momentin e fikjes së plotë të zjarrit. Ndërhyrja në anën e baneseve rezultoi e vështirë për shkak të terrenit jo të favorshëm.

Ky vit dukshëm ka më pak zjarre të paktën deri tani por gjithsesi Lezha mbetet një zonë e rrezikuar për shkak të pyjeve atje.

 

Artikulli paraprakMALËSIA E MADHE PA BIBLIOTEKË
Artikulli tjetërGABIMI NË DIPLOMA, REAGON UNIVERSITETI