Zjarri që ka përfshirë kabinën elektrike të një pallati shumëkatësh në zonën e Plepave në Durrës ka shkaktuar panik mes banorëve.
Tymi dhe flakët kanë përfshirë hyrjen e pallatit pak pas mesditës dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të vënë nën kontroll flakët.
Kabina elektrike është shkrumbuar tërësisht, duke lënë banorët pa energji në këtë ditë feste.
Ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur shuarjen e flakëve brenda një kohe të shkurtër, madje efektivët ndihmuan edhe disa nga banorët, që të bllokuar nga tymi dhe flakët nuk dilnin dot nga pallati.
Banorët kanë deklaruar se i ishin ankuar që dy javë më parë administratorit të pallatit, pasi ndjenin erë djegësirë, por u desh zjarri i sotëm, që të bëhej stakimi i energjisë për të zbuluar shkakun e vërtetë të rënies së zjarrit.