Një zjarr masiv ka shpërthyer në një resort skish në Francë. Nga flakët kanë mbetur të vdekur dy persona dhe janë plagosur 22 të tjerë, katër në gjendje të rëndë, raporton BBC.
Zjarri filloi në orët e para të mëngjesit të së dielës (20 janar), në resortin e skive në Courchevel. Tre ndërtesa u përfshinë nga flakët.
70 zjarrfikës u përballën me flakët për t’i vendosur nën kontroll. Shkaku i zjarrit nuk është konfirmuar ende. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojë zjarrfikëset që përdorin shkallët për të shpëtuar njerëzit brenda ndërtesës tre katëshe.
Në një video të publikuar në mediat sociale shihet një person duke u hedhur nga dritarja për ti shpëtuar flakëve.
Mediat raportojnë se në ndërtesa ishin rreth 60 punonjës të resortit, përfshirë edhe të huaj.
Tre nga katër të plagosur në gjendje të rëndë janë dërguar në spital me helikopter, thanë zyrtarët lokalë.