Një 35 vjeçar në fshatin Bularat të Gjirokastrës ka hapur zjarr në drejtim të forcave të rendit që kanë shkuar për ta arrestuar.

Policia lokale bën me dije se rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm (28 tetor) në krye të fshatit Bularat, 35 vjeçari Kostandinos Kaçifa ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

“Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë”,thuhet në deklaratë.

Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.

Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së Gjirokastrës kanë shkuar forcat speciale RENEA me anë të një helikopteri.

Policia lokale thotë se shtetasi Kostandinos Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat.

Artikulli paraprakSTAR SPORT – 28.10.2018
Artikulli tjetërSHKODËR, KONTROLLET E POLICISË ÇOJNË NË PRANGA TË DËNUARIN ME 16 VITE BURG