Një zjarr përfshiu banesën e një 85 vjeçari në zonën e By Pass-it në Shkodër. I moshuari i cili rrezikoi që të digjet brenda, shpëtoi duke arritur që të dalë në kohë përpara se flakët të përfshinin të gjithë banesën. Menjëherë pas njoftimit në vendngjarje mbërritën zjarrëfikëset e repartit të Shkodrës duke shuar flakët në këtë ndërtesë që ishte e mbushur me materiale të ndryshme, hekura dhe plastikë që i moshuari i mblidhte për t’i shitur. Drejtuesi i grupit të punës, Muhamet Smajli tregon se rrezikuan të digjen edhe shtëpi të tjera por ndërhyrja me shpejtësi neutralizoi zjarrin.

Smajli thotë se për repartin zjarrëfikës mbeten një problem të moshuarit që jetojnë të vetmuar pasi kanë vështirësi të njoftojnë me celular por edhe janë të predispozuar të harrojnë paisjet ndezur për shkak të moshës së thyer.

Ndërkohë një prej banorëve që i shkoi në ndihmë 85 vjeçarit tregon se i moshuari jeton në kushte të vështira pasi nuk ka pranuar që të shkojë në apartament tek fëmijët.

Dëmi i shkaktuar nga ky zjarr në banesën e vjetruar të 85 vjeçarit për të moshuarin është i konsiderueshëm pasi bashkë me një shumë parash që kishte brenda janë djegur edhe materialet që ai mblidhte për t’i shitur për të jetuar.

Artikulli paraprakLAÇI-VLLAZNIA, MEMELLI: NDESHJE E FORTË
Artikulli tjetërBOKS, VLLAZNIA 25 TITUJ KAMPION