Greqi – Zjarr në kampin e emigrantëve në Lesbos, 2 të vdekur
Një grua 66-vjeçare dhe një djalë 6-vjeçar kanë mbetur të vdekur nga zjarri që përfshiu një kamp të mbipopulluar të emigrantëve në ishullin grek të Lesbos. Dy persona të tjerë kanë marrë djegie të rënda dhe dhjetëra emigrantë kanë mbetur të plagosur për shkak të përballjeve me policinë në kampin Moria. Rreth 16.000 emigrantë kanë mbetur të bllokuar në ishullin grek që prej marrëveshjes së Bashkimit Europian me Turqinë për të frenuar fluksin e emigrantëve drejt Europës. Sipas raportimeve, shkak për këtë zjarr që i mori jetën dy personave, ishte një aksident. Mendohet që një bombël gazi të ketë shpërthyer në tendën ku gruaja 66-vjeçare po gatuante. Sipas policisë greke, disa emigrantë më pas i vunë zjarrin pjesëve të tjera të kampit, gjë që çoi edhe në përplasjet me policinë. Edhe pse flakët u vunë nën kontroll, dëmi që ato shkaktuan ishte i madh. Moria është përfshirë prej muajsh nga trazirat, pasi emigrantët presin shumë gjatë për procesimin e kërkesave të tyre për azil. Muajin e kaluar, emigrantë të këtij kampi i vunë zjarr zyrave të përkohshme të Bashkimit Europian përgjatë një proteste.