Rreth 20 fshatra në njësitë administrative Kastrat dhe Kelmend në Malësinë e Madhe kanë mbetur pa energji elektrike për rreth 3 orë gjatë së premtes për shkak të një zjarri të rënë pranë nënstacionit elektrik në fshatin Vukpalaj në afërsi të Bajzës.
Energjia elektrike në linjën e 220 kv është ndërprerë si masë sigurie, për shkak se nënstacioni është rrezikuar nga flakët. Punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Malësi të Madhe treguan se fatmirësisht nga zjarri nuk janë shkaktuar dëme në rrjetin elektik. Ndërkohë një hapësirë e konsiderueshme me shkurre dhe bar është përfshirë nga flakët në rrethana ende të paqarta.
Banorët e fshatit Vukpalaj të ndihmuar edhe nga punonjësit e repartit zjarrfikës në Malësi të Madhe kanë bërë të mundur që brenda pak orësh të shuajnë totalisht zjarrin. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur përfaqësues të emergjencave Civile si dhe punonjësit e policisë, të cilët do të hetojnë mbi shkaqet e rënies së këtij zjarri. Ndërkohë, në rang vendi, situata e zjarreve paraqitet mjaft problematike.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar të paktën 19 vatra zjarri, 8 prej të cilave ishin të aktivizuata 2 ditë më parë. Për neutralizimin e flakëve në të gjithë vendin janë angazhuar 124 punonjës zjarrfikës, 22 automjete zjarrfikëse, 110 Forca të Armatosura të Ushtrisë, mbi 45 vullnetarë banorë të zonave të prekura, 137 punonjës të Pyjores, të bashkive dhe ADZM, të cilët po mbështeten nga helikopetrët.