Zjarr në pyjet e fshatit Patin, ndërhyn zjarrfikësja për shuarjen e flakëve
Një zjarr i madh u shfaq këtë të premte në masivin pyjor me pishë në fshatin Patin të Bashkisë së Klosit.
Vatra e zjarrit u përhap me shpejtësi për shkak të erës. Të parët që kanë nisur ndërhyrjen për shuarjen e flakëve kanë qenë banorë të zonës.
Drejt vatrës së zjarrit menjëherë është nisur edhe mjeti zjarrfikës i Bashkisë së Klosit si dhe punonjësit e këtij shërbimi. Kryetari i Bashkisë Klos Ilmi Hoxha ka urdhëruar stafin e shërbimit zjarrfikës të mbrojnë banesat, duke vendosur aty mjetin zjarrfikës.
Ndërkohë për shkak të mungesës së rrugës automoblisitike, për shuarjen e zjarrit janë përdorur pompa shpine nga zjarrfikësit.
1 hektar pishë mësohet se është përshkuar nga flakët, ndërsa bashkia Klos tha se tashmë vatra është neutralizuar për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të saj.