Zjarr në një vilë ,shkak një shkëndijë në oxhak
Përfshihet nga flakët një banesë në Bradashesh të Elbasanit. Zjarri ka shpërthyer në papafingon e një banese private dhe më pas është përhapur më shpejtësi. Dëmtime në njerëz nuk ka pasur, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Në vendin e ngjarjes shkuan tre zjarrfikëse të cilat lokalizuan dhe fikën flakët. Shkak i zjarrit mendohet se ka qenë një shkëndijë te oxhaku. Zjarri në shtëpinë tre katëshe ra në orën 23:30 minuta. Mjetet zjarrëfikëse kanë hedhur 10 metër kub ujë. Çatia ishte me polesterol dhe ka marrë zjarr menjëherë. Shefi i repartit të zjarrfikësve në Elbasan Tajar Alla u shpreh se problem mbeten bombolat e gazit dhe qytetarët duhet që të jenë të kujdesshëm e të kërkojnë shërbim të specializuar për të shmangur fatkeqësitë. ‘’Do t’u lutem qytetarëve në këto ditë të ftohta që kanë përfshirë vendin, të tregojnë kujdes me ngrohjen me gaz. Mos t’i rimbushin vetë bombolat me gaz, pasi ato duhet të jenë të kolauduara’’,-u shpreh Alla. Muajin e fundit janë të shpeshta zjarret në banesa që kanë ardhur kryesisht për shkak të bombolave të gazit.