Zjarr në qendrën e emigrantëve në Paris, një i vdekur, 14 të plagosur
Një person ka humbur jetën dhe rreth 14 të tjerë kanë mbetur të plagosur në një qendër rezidenciale për emigrantët në Paris pas një zjarri që ka pushtuar ndërtesën. Mendohet se bëhet fjalë për një zjarrvënie të qëllimshme, teksa burri nga Mali ka vdekur pasi është hedhur nga dritarja e katit të tretë si pasojë e flakëve të shumta. Televizioni BFM thotë se një pjesë e mirë e të plagosurve janë në gjendje të rëndë për jetën. Ngjarja ka ndodhur pak para orës 4 të mëngjesit në katin e parë të ndërtesës 6 katëshe, teksa flakët janë përhapur nga hapësira e shkallëve të pallatit. Sipas hetimeve paraprake, në katin e parë të rezidencës së emigrantëve janë gjetur gjurmë karburanti dhe lëndë të tjera ndezëse. Gjatë muajve të fundit, shumë qendra pritjeje për emigrantët janë sulmuar në Francë, në shenjë zemërimi ndaj refugjatëve që kanë mbërritur atje si pasojë e luftërave dhe varfërisë në vendet të tyre të origjinës.