Një alarm se kisha Françeskane në Shkodër, libraria dhe njësitë tregtare aty pranë mund të digjen nga një zjarr ka bërë që zjarrëfikëset të mbërrijnë me shpejtësi.

Lajmërimi për një zjarr të mundshëm është dhënë rreth orës 9:35 të së hënes dhe menjëherë efektivët janë vënë në lëvizje duke mbërritur në vendin e ngjarjes. Bëhej fjalë për një zjarr në pedonalen “Kolë Idromeno”. Në fakt kanë mjaftuar vetëm pak minuta për të kuptuar se e gjitha ka qenë një alarm i kotë. Një zjarr i vogël i vendosur nga një punonjës pas librarisë françeskanë për të djegur disa dërrasa e copa letrash ka sjellë edhe alarmin. Tymi që ka shkuar në lartësi është menduar si një vatër zjarri e papritur nga njësitë tregtare aty afër të cilët kanë lajmëruar zjarrëfikëset të alarmuar edhe nga frika e idesë se rrezikohej kisha françeskane.

Efektivëve u është dashur pak kohë për të kontrolluar të gjithë zonën dhe për të kuptuar qartë se nuk kishte asnjë lloj rreziku siç mendohej fillimisht. Makina e zjarrëfikëses është larguar duke qenë se nuk kishte asnjë punë për të bërë bashkë me efektivët e gatshëm për të shuar zjarrin. Ajo që është shqetësuese në këtë rast është në një farë mënyre mungesa e përgjegjshmërisë nga personat që lajmërojnë për zjarre apo edhe njësitë tregtare që me këto veprime nuk japin informacion të saktë dhe aspak të sigurtë. Një shqetësim ky i shprehur publikisht edhe nga vetë drejtuesit e repartit zjarrëfikës disa herë duke i kërkuar qytetarëve që të jenë më të ndërgjegjshëm sepse alarme të tilla që më pas rezultojnë në qesharake ia vështirësojnë punën në përditshmërinë e tyre.

Artikulli paraprakAKU MBYLL DY SUBJEKTE, 7 PARALAJMËROHEN
Artikulli tjetërLAGJIA “ZOOTEKNIKË” MES UJËRAVE TË ZEZA