Zjarrefikesit kerkojne rritje pagash,kemi pune me veshtiresi.

Të qenit zjarrfikës konsiderohet një ndër profesionet më të vështira në botë, por kur këtë profesion duhet ta ushtrosh në Shqipëri, puna të bëhet edhe më e vështirë. Në Tiranë ndodhin mesatarisht 7 deri në 10 zjarre në ditë, që përballohen në total nga 116 efektivë, të cilët duhet të mbulojnë një territor të banuar nga rreth një milion banorë. Krahas problemit të infrastrukturës, mungesës së pajimeve, apo edhe vështirësisë për shkak të trafikut, zjarrfikësit vijojnë të kryejnë detyrën me një nivel pagash ndër më të ulëtit jo vetëm në rajon, por edhe në Europë. “Unë kam 25 vite që shërbej në shërbimin zjarrfikës. Për momentin vlerësohem me pagën prej 48 mijë lekësh, shpresoj që nga qeveria të mund të kemi edhe rritje page”, tha një zjarrfikës. “Unë kam 2 vite që shërbej në këtë shërbim dhe paguhem me 35 mijë lekë për momentin. Shpresoj që edhe ne të kemi rritje page”, tha një zjarrfikës i dytë. Në fakt, me ligjin e ri për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin, ku zjarrfikëset kanë kaluar nën administrimin e bashkive, parashikohet edhe rritja e pagave sipas gradave dhe vjetërsisë së shërbimit, por mungesa e nxjerrjes së akteve nënligjore prej gati një viti ka lënë në vendnumëro këtë kategori. Me ligjin e ri parashikohet që edhe numri i zjarrfikëseve të shkojë në 1 për 1.500 deri në 2.000 banorë.

Artikulli paraprakGJENDEN 50 KG KANABIS SATIVA NE NJE BANESE NE ZALL HERR
Artikulli tjetërANULOHEN HEC-ET NE THETH.U SHKELEN KONTRATAT KONÇESIONARE