Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve, zjarret që prej 6 ditësh kanë shkatërruar Los Anxhelosin vazhdojnë të zgjerohen, ndërsa numri i të vdekurve ka shkuar në 24.
Rritja e numrit të viktimave u njoftua nga zyra e mjekësisë ligjore të qarkut, raporton New York Times.
Ndërkohë autoritetet vendase kanë paralajmëruar se kërcënimi i zjarreve është “ende i lartë”. Në një konferencë për shtyp, shefi i zjarrfikësve, Anthony Marrone, shpjegoi se situata mund të përkeqësohet nga era e fortë gjatë ditëve të ardhshme dhe kjo situatë do të vazhdojë deri të mërkurën, citon La Repubblica.
Aktualisht janë tre zjarre që vazhdojnë të jenë aktivë. Zjarri më i madh është Palisades, i cili tani ka djegur më shumë se 23,000 hektarë dhe është 13% i kontrolluar. Zjarri i Eaton është i dyti më i madh dhe ka djegur më shumë se 14,000 hektarë dhe është 27% i kontrolluar. Zjarri i Hurst është nën kontroll thuajse 95%.