Zjarret shkatërruese në Los Anxhelos dhe rrethinat e tij kanë shkaktuar deri tani 10 viktima, ndërsa flakët vazhdojnë të përhapen jashtë kontrollit. Zjarri më i madh, në Eaton, ka djegur mbi 13,690 hektarë tokë, duke shkatërruar 5,000 shtëpi dhe infrastrukturë. Përhapja e zjarreve po përkeqësohet nga erërat e forta dhe thatësira e gjatë, duke e bërë situatën jashtëzakonisht të vështirë për t’u menaxhuar.
Sherifi i Los Anxhelosit, Robert Luna, e përshkroi situatën si një katastrofë të përmasave atomike. Shtatë viktima janë konfirmuar në rajon, ndërsa një tjetër zjarr në Ëest Hills kërcënon të përhapet me shpejtësi. Një tjetër zjarr në Kenneth, që ka djegur mbi 50 hektarë, mendohet të jetë shkaktuar qëllimisht, pasi një zjarrvënës i dyshuar u kap nga qytetarët.
Zjarret deri më tani kanë djegur 117,727 hektarë, kanë shkatërruar 1,500 shtëpi dhe kanë lënë pa energji elektrike 200,000 banesa. Dëmet materiale janë vlerësuar në 57 miliardë dollarë, me pasoja ekonomike që pritet të rriten. Autoritetet kanë bërë thirrje për kursimin e ujit, pasi rezervuarët po zbrazen dhe zjarrfikësit po përdorin burime alternative si pishinat për të furnizuar makinat zjarrfikëse.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje serioze mbi gatishmërinë e qytetit dhe shtetit për t’u përballur me këto katastrofa natyrore, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe të ashpra.